• 11 years ago
Lubço Georgievski, de fakto është kryetar i VMRO Popullores, por jo edhe de jure. Kjo vjen si rezultat i faktit se gjyqësori në Maqedoni nuk i lejon kësaj partie që të regjistroj kryetarin e saj të vjetër, në postin numër një të kësaj partie. Nga kjo parti akuzojnë gjyqësorin për shkak të siç shprehen obstruksioneve që i bëhen në lidhje me regjistrimin e kryetarit të ri të saj, edhe pse shprehen se në këtë drejtim kanë respektuar të gjitha procedurat.
"Gjykata ka sjell vendim përmes të cilit kundërshton regjistrimin e kryetarit të VMRO-partisë Popullore. Arsyetimi është se nuk kemi parashtruar argumente të mjaftueshme deri tek gjykata. Edhe përkundër asaj se nga ana jonë janë dorëzuar të gjitha procesverbalet edhe nga Komiteti ekzekutiv i partisë, edhe nga Komiteti qendror i partisë, si dhe nga kongresi që ishin publik për mbarë opinionin, ku shihet qartë se anëtarësia e partisë pa hamendje votoi Lubço Georgievskin për kryetar të VMROPopullores", tha Vane Cvetanovski, VMRO-Popullore.
Ka reaguar ish kryetari i VMRO-Popullore Marjan Dodovski duke thënë se legjitim është vendimi i tyre i miratuar më 1 shkurt me kalimin e tyre në VMRO-DPMNE.
"Gjithë procedurën që e udhëhoqën Georgievski dhe personat rreth tij këto muaj u tregua se është jo legjitime dhe jo statutare dhe se e vërteta dhe legjitimiteti qëndron në vendimin tonë që e shpallëm më 1 shkurt për kthim në VMRO-DPMNE. Nëse Georgievski ka dëshirë që edhe më tej të qëndroj në skenën politike, mund të formoj edhe subjekt të ri politik pasi VMRO-Popullore është pjesë e VMRO-DPMNE", u shpreh Marjan Dodovski, VMRO-DPMNE.
Lidhur me këtë vendim të gjyqësorit, VMRO-Popullore ka alarmuar edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë në vend.
"Partia jonë nuk do të gjunjëzohet para këtyre sulmeve të ulëta dhe paralajmërojmë se VMRO- partia popullore ka kryetar legjitim dhe ai është Lubço Georgievski", tha Vane Cvetanovski, VMRO-Popullore.
Ndryshe Georgievski u kthye sërish në krye të partisë VMRO Popullore pasi Marjan Dodovski, dha dorëheqje dhe paralajmëroi shkrirjen e partisë në VMRO-DPMNE.
Bedri Rexhallari

Category

📺
TV

Recommended