TIRANE - Gjykata e Tiranës ka lëshuar urdhër ekzekutimi kundër Forcave Ajrore, të cilat rezulton se kanë "harruar" të paguajnë tarifën përkatëse pranë Doganës së Rinasit për një nga helikopterët e blerë në Francë. Ushtria shqiptare mund të jetë në NATO, por, ndryshe nga simotrat e saj në këtë aleancë politiko-ushtarake, drejtohet nga ministra si Arben Imami, që mendojnë se janë mbi ligjin, deri në atë pikë sa të tentojnë të futin kontrabandë një helikopter të Forcave Ajrore. Ndërkohë që nuk gjejnë paratë për një detyrim financiar të padiskutueshëm, shkelin pa iu dridhur qerpiku një ligj tjetër, sipas të cilit 60 ditë para zgjedhjeve asnjë institucion shtetëror nuk mund të publikojë reklama, veça atyre me karakter shpjegues zgjedhor.