Kreu i BDI-së Ali Ahmeti mbrojti propozimin e fundit të ndërmjetësit Nimic, Republika e Epërme e Maqedonisë, si një bazë të mirë rreth të cilës palët duhet të nisin dialogun. Ahmeti nga Sofja, deklaroi se palët mund të jenë më afër zgjidhjes se kurrë, megjithëse sipas tij në fazën e ardhshme të bisedimeve duhet ngritur niveli i negociatorëve nga ambasadorë në ekipe që do kryesoheshin nga kryeministrat e dy vendeve.
"Deri me tani nuk ka pasur ndonjë propozim konkret nga negociatori, tani është propozimi Republika e Epërme e Maqedonisë, d.m.th. kemi një dokument bazë ku palët duhet te ulen dhe dialogojnë, por pa ndihmën e komunitetit ndërkombëtar është vështirë të ulemi", deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Nga ana tjetër, Ahmeti deklaroi se nuk ka asgjë të keqe në firmosjen e marrëveshjes për fqinjësi të mirë mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, por përkundrazi sipas tij ky dokumenti mund të kontribuojë në shoshitjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve.
"Është në të mirë të dy vendeve që një Marrëveshje e tillë të pranohet, ne nuk shohim asgjë të keqe nga marrëveshjet që bëhen me fqinjët, nëse ka çështje kontestuese çfarëdo të jenë ato mirë është të bisedohet, ne jemi te hapur", tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Ndërkaq më herët, pas takimeve me kryeministrin bullgar Pllamen Oresharski dhe Ministrin e Jashtëm Kristian Vigenin, Ahmeti tha se Sofja zyrtare ka nxjerrë në pah jo vetëm gatishmërinë për të mbështetur integrimet euro-atlantike të vendit, por ka marrë garanci nga autoritet bullgare se do të ndihmojnë Maqedoninë, përfshi edhe në procesin e zgjidhjes së emrit.
"Më siguruan autoritet e larta bullgare që përkrahje për anëtarësimin e Maqedonisë ne NATO dhe BE asnjëherë nuk kanë munguar dhe nuk do të mungojë dhe njëherit edhe ndihma për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me palën greke gjithashtu nuk do te mungojnë", u shpreh Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Ahmeti hodhi poshtë zërat se nisma e tij është vetjake dhe e pakoordinuar me Gruevskin. Kreu i BDI-së tha se nuk ka dallime me kryeministrin për sa i përket nismave të tij dhe se madje, atij i është shprehur mirënjohje për angazhimin e tij. Ahmeti në këtë vizitë shoqërohet edhe nga zv/kryeministri për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit Musa Xhaferri. Ndërkaq, përveç takimeve me autoritet e larta shtetërore, Ahmeti mbajti një fjalim në Institutin për diplomaci me temën '100 vjet nga luftërat ballkanike, pajtim dhe integrim'.
Vizita e kreut të BDI-së Ahmeti në Sofje pritet të zbusë sado pak marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje, të cilat u ashpërsuan sidomos pas Samitit të dhjetorit të BE-së, kur Bullgaria pengoi dhënien e datës së negociatave Maqedonisë, duka e akuzuar atë se po zhvillon fushatë anti-bullgare dhe se nuk ka përmbushur obligimet në kuadër të fqinjësisë së mirë.
Nga Sofja për televizionin Alsat, Semra Jakupi.