Tiranë- Koncesionet do të transformohen në investime serioze dhe transparente. Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri deklaroi se në fund të vitit do të përfundojë regjistri elektronik i të gjitha koncesioneve i cili do të bëjë publik të gjitha fazat e investimeve apo përfundimin e licensave.
"Të them të drejtën, unë mendoj se publiku nuk e ka marrë atë që meriton, sidomos me minierat shqiptare. Po flas për pasuritë natyrore, kemi shumë aktivitete të karakterit ilegal dhe shpesh edhe renta që është për tu llogaritur nuk llogaritet siç duhet për shkak të aktiviteteve ilegale." Tha Gjiknuri.
Ambasadori i SHBA-ve Aleksandër Arvizu dhe ai i OSBE Floria Raunig apeluan për më shumë transparencë dhe formalitet në sektorin minerar.
"Ka shumë punë për të bërë për të arritur transparencën.Një komponent i rëndësishëm i kësaj është koncepti i kërkesës për raportim. Çdo individ, çdo biznes do të ketë një kërkesë për raportim,dhe për të raportuar të ardhurat. Duhet më pak informalitet në ekonomi dhe më shumë formalitet" u shpreh ambasadori.
Nga ana e tij ministri i Mjedisit u shpreh se është e rëndësishme në industrinë nxjerrëse është edhe mbrojtja e mjedisit.
Këto deklarata erdhën në një forum të organizuar prej prezencës së OSBE në Shqipëri për të promovuar së bashku me ministrinë nismën për transparencë në industrinë nxjerrëse.