Tiranë- Në vitin 2015 media do të jetë mes bizneseve që do të paguajnë TVSH për reklamat që ata do të marrin ndërsa do të përjashtohen nga TVSH -ja disa produkte si arsimi ,shëndetësia dhe siguracionet.
Kjo është parashikuar në pr/ligjin e ri për "Për Tatimin mbi vlerën e shtuar" që është prezantuar sot nga ministria e Financave.
"Siç përcaktohet në projektligj, reklamat nga media e shkruar ose elektronike nuk janë të përjashtuara nga TVSH" thuhet në relacionin me të cilin shoqëron pr/ligjin kjo ministri.
Në relacion thuhet se furnizimet e shtypshkronjave, gazetave, revistave dhe librave janë përjashtuar nga TVSH por theksohet se Legjislacioni i BE-së nuk e ka të përjashtuar. "Madje në shtojcën 3 i liston si furnizime që mund të trajtohen me shkallë të reduktuar të TVSH-së."
Ministri i financave Shkëlqim Cani i vlerëson ndërhyrjet në ligj të rëndësishme.
Rikthehet TVSH për furnizimin e hekurit
Ndërkohë është rikthyer TVSH-ja për furnizimin e hekurit dhe çimentos ndaj HEC-eve
Eshtë hequr përjashtimi nga TVSH për furnizimet e shërbimeve të destinuara për realizimin e fazave të kërkimit dhe të zhvillimit të operacioneve hidrokarbure, të kryera nga kontraktorët ose nënkontraktorët që punojnë për realizimin e këtyre fazave si edhe furnizimi i mallrave që bëjnë kontraktorët për njëri-tjetrin ose nënkontraktorët për kontraktorët e tyre.
Rimbursimi
Për rimbursimin janë mbajtur të njëjtat dispozita, pra kushtet vazhdojnë të jenë të njëjta, 3 periudha të mbartura, 400.000 lekë dhe 30 ditë për eksportuesit dhe marrëveshjet ndërkombëtare dhe 60 ditë për tatimpaguesit e tjerë (Afatin e rimbursimit Franca e ka mbi 60 ditë, varion në bazë të analizës së riskut). Bazuar edhe në eksperiencën franceze, në këtë projekt ligj është parashikuar se në rast se ka arsye të justifikueshme, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve , mund të shtyjë këtë afat edhe me 60 ditë.
Rishikimi i ligjit për Tatimin Mbi Vlerën e Shtuar vjen për herë të parë që prej 1995 dhe është punuar në bashkëpunim me ekspertë të Bashkimit Europian.