Kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi nuk mendon për dorëheqje. Pavarësisht rezultatit zgjedhor dhe kërkesës nga Dega e Strugës, dhe anëtarit të deridjeshëm të kryesisë Ziadin Sela, Thaçi vlerëson se situata nuk është dramatike dhe nuk ka nevojë për diskutime të tilla. Arsye më tepër, sipas Thaçit, është edhe fakti se dorëheqjen e tij nuk e kërkon anëtarësia e PDSH-së, por ata që ai i cilëson si armiq dhe tradhtarë të partisë.
"Nuk jap dorëheqje, nëse këtë dorëheqje e kërkojnë tradhtarët e PDSH-së dhe armiqtë e PDSH-së. Normalisht unë iu nënshtrohem organeve të partisë dhe kjo do të jetë krejt e hapur. Seriozisht është biseduar për këtë çështje dhe unë nuk preferoj dramatizim të situatës. Ne kemi kongresin për 10 muaj, kongresin e rregullt, dhe në kuadër të një procedure të rregullt do t'i zgjidhim të gjitha çështjet që kemi brenda partisë", deklaroi Menduh Thaçi, Kryetar i PDSH-së.
Në zgjedhjet e 27 prillit PDSH-ja mori 66 mijë vota, po aq sa kishte në parlamentaret e 2011-tës, por me diferencë shumë më të madhe votash ndaj BDI-së. Shndërruar në mandate, partia e udhëhequr nga Menduh Thaçi në 4 vitet e ardhshme do të ketë një deputet më pak në Kuvend. Ndërkohë ndryshe nga Menduh Thaçi, kryesia e plotë e RDK-së ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozicionet e saj në parti. Dorëheqjet e kryetarit Rufi Osmani, sekretarit Izet Zeqiri dhe nënkryetarëve Artan Dika dhe Gikten Haziri vijnë si përgjegjësi morale për rezultatin e RDK-së në zgjedhjet parlamentare. Kuvendi Qendror ka përcaktuar Këshillin e përkohshëm drejtues të RDK-së, me përbërje Zenun Ismaili, Vesel Memedi dhe Binas Pajaziti, që duhet ta drejtojnë partinë deri në zgjedhjen e kryesisë së re. RDK-ja, në zgjedhjet e fundit parlamentare humbi rreth 40% të trupit votues, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2011, duke ulur numrin e votave nga 30 mijë në 17 mijë. Zgjedhjet e 27 prillit, RDK-ja i vlerësoi si të manipuluara dhe të vjedhura, dhe paralajmëroi se nuk do të pranojë rezultatin zgjedhor, por pa sqaruar nëse do të pranojë apo jo mandatin e fituar nga vetë ish kryetari tashmë, Rufi Osmani. Benjamin Arifi