SHBA-Për herë të parë Shtetet e Bashkuara reagojnë mbi "konfliktin" e hapur mes Presidencës dhe ekzekutivit. Drejtori për Çështjet e Evropës Jug-Qendrore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore, në një intervistë për VOA thekson nevojën që përplasjet e fundit mes qeverisë shqiptare dhe Presidentit të Republikës të zgjidhen në mënyrë ligjore dhe jo politike.
"Kur isha në Shqipëri para disa javësh, pata mundësi të flisja për këtë çështje me presidentin, me kryeministrin, me kryetarin e parlamentit dhe me njerëz të tjerë në qeveri. Pikëpamja jonë është që ne duam të shohim që institucionet të funksionojnë normalisht, që populli t'u besojë atyre dhe punës që ato bëjnë. Për disa prej çështjeve që presidenti ka ngritur ai po përdor mekanizmat e duhur ligjorë, duke iu drejtuar gjykatës kushtetuese, siç ishte rasti i shkarkimit të zonjës Xhuka, kryetares së Inspektoratit të Kontrollit të Pasurive. Ky është një hap shumë praktik. Në shumë vende, jo vetëm në Shqipëri, ka situata të ngjashme mosmarrëveshjesh për autoritetin e qeverisë, të kreut të shtetit apo të parlamentit. Ky është moment i rëndësishëm si për presidentin edhe për kryeministrin dhe rezultatet e punës së tyre do të tregojnë se sa e suksesshme është demokracia shqiptare. Presidenti përfaqëson gjithë vendin, kryeministri ka përgjegjësi për të gjithë vendin, kjo duhet të jetë temë debati publik dhe në se ka mosmarrëveshje ato duhen zgjidhur në mënyrë ligjore dhe jo politike"- deklaroi Moore.
Zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha ndër të tjera se lufta ndaj korrupsionit në Shqipëri nuk duhet zhvilluar përmes akuzave politike dhe shtypit, por përmes sistemit të drejtësisë.
Ndërsa kanë kaluar 8 muaj qeverisje nga mazhoranca e majtë ,Moore vlerëson se pavarësisht pikëpyetjeve mbi disa prej vendimeve të fazave të para, deri tani qeveria ka punuar shumë intensivisht për ta çuar Shqipërinë drejt integrimrit evropian.
Drejtori i zyrës për Evropën Qendrore dhe Jugore, Jonathan Moore, gjatë intervistës për VOA u ndal edhe tek përplasjet politike mes pozitës dhe opozitës.