Reshjet e shiut të ditëve të fundit, kanë bërë që disa lumenj të dalin nga shtretërit. Sipërfaqe të mëdha të mbjellash janë dëmtuar ndërkohë në Kumanovë dhe Strumicë. Nga Qendra për menaxhimin e krizave, thonë se janë duke ndërmarr të gjitha masat e nevojshme, dhe se për momentin, ende nuk kanë një vlerësim të dëmeve nga përmbytjet.
"Në Kumanovë është regjistruar dalja nga shtrati e lumit Kumanovka në fshatin Dobroshan ku janë përmbytur rreth 20 hektarë të mbjellja me grurë. Lumi Reka ka dalë në disa vende në zonën e fshatit Dovezencë ku janë përmbytur sipërfaqe të punuara bujqësore. Në Strumicë, lumi i Sushevës ka dalë në fshatin Sushevë dhe fshatin Gradoshorc. Dje doli edhe kanali Raul ku janë përmbytur disa rrugë në hyrje të Gjevgjelisë, kurse sot gjendja është normalizuar. Si më kritikë vlerësohen lumi i Bregalnicës dhe lumi i Zletovës", tha Nadica Vçkova- Qendra për Menaxhimin e Krizave.
Sinoptikët paralajmërojnë edhe për nesër, mot të ndryshueshëm me shi të dobët lokal në orët e pasdites, kurse gjatë paradites pritet diell dhe erë. Temperaturat do të sillet nga 11 deri 18 gradë.
"
Në ditët në vijim, në përgjithësi do të kemi mot më të qëndrueshëm me diell dhe mot më të ngrohtë me temperaturë ajrit që do të sillet në intervalin nga 18 deri në 25 gradë. Nga fundi i javës në orët e pasdites sërish do të kemi mot të ndryshueshëm dhe me shira lokalë e vetëtima", u shpreh Lena Jovanovska- sinoptike kujdestare në DPHM.
Sot, Maqedonia ishte nën ndikimin e fushës së ciklonit nga Mesdheu, e cila kushtëzon mot të ndryshueshëm me reshje të përkohshme lokale. Deri në mbrëmje, në disa rajone, sinoptikanët nuk e përjashtojnë edhe mundësinë e breshrit. Natasha Stojanovska