Në procesin e fundit zgjedhor, Institucioni i Avokatit të Popullit ka regjistruar mbi 150 ankesa qytetarësh për pasaktësi në listën zgjedhore. Ky denoncim i qytetarëve është dukshëm më i madh, krahasuar me ciklet e mëparshme zgjedhore, thotë avokati i popullit Ixhet Memeti në intervistën javore të Radios Evropa e Lirë. Ai fajësoi për këtë situatë, KSHZ-në si institucion përgjegjës për azhurnimin e listës zgjedhore.
"Në këto zgjedhje, edhe presidenciale dhe parlamentare kishte numër të madh ankesash nga ana e qytetarëve, se sa gjatë zgjedhjeve të mëparshme. Në linjën tonë telefonike vetëm në zyrën në Shkup janë regjistruar më shumë se 150 ankesa, ndërsa në njësit rajonale mbi 50 të tjera. Pjesën më të madhe të problemeve e krijonte jo saktësia e listës zgjedhore. Kishim raste kur i ndihmuam me sukses qytetarët atë ditë. Do ju tregoj një rast karakteristik. Ndërsa qytetari, në raundin e parë zgjedhor ka votuar në një fshat, në raundin e dytë atë e gjetëm në listën e një fshati tjetër. Kjo ngre dyshime dhe pasiguri te qytetarët se shteti, konkretisht organet për zbatimin e zgjedhjeve, KSHZ-ja e cila ka për obligim të përgatisë listën zgjedhore të azhurnuar dhe cilësore, nuk e ka bërë këtë detyrë", tha Ixhet Memeti, Avokat i Popullit.
Në ditën e votimit në zyrat e Avokatit të popullit, qytetarët kanë denoncuar edhe presione. Por Avokati i Popullit nuk mund të ndërmerrte asgjë për shkak se telefonatat kanë qenë anonime. 'Nëse kjo është e vërtetë, atëherë edhe kjo është shqetësuese', ka thënë Memeti.
"Kishte 18 telefonata nga qytetarë që u ankuan se janë të shqetësuar, pasi u kanë trokitur në shtëpi njerëz që bënin anketa dhe i pyesnin për cilën parti do votoni. Në atë pjesë, karakteristike ishte se të gjithë qytetarët nuk dëshirojnë ta tregojnë identitetin që institucioni ynë të hulumtonte më tej. Avokati i Popullit nuk mund të nisë procedurë në baza anonime pasi, nëse duhet ta vërtetoj gjendjen faktike duhet të ndërmarrë disa veprime që të arrijë tek e vërteta, nëse është ashtu. Megjithatë mua si avokat i popullit, nëse kjo dukuri ekziston, më shqetëson pasi dëshironi apo jo, kjo te qytetari apo votuesi krijon pasiguri apo dyshime nëse mund ta realizojë apo jo të drejtën e votës", u shpreh Ixhet Memeti, Avokat i Popullit.
Të gjitha këto vërejtje avokati i popullit do t'i paraqes në raportin e tij, me qëllim që të ndihmojë ligjvënësit që në të ardhmen të përmirësojnë këtë segment të rregullativës ligjore. Gjyltene Rexhallari