Skip to playerSkip to main content
  • 11 years ago
Tiranë- 5 njësi vendore i kanë dërguar Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale disa propozime si dhe peticione me anë të cilave sugjerojnë se si duhet të veprohet me këto zona.

Propozimet e bëra shpjegohen në bazë të disa faktorëve, siç është pozicioni gjeografik,ekonomia apo marrja e marrja e shërbimeve.

Duke e lidhur peticionin me aspektin ekonomik, Këshilli Komunës Ksamil, pas analizës së situatës 20 vjeçare të ecurisë së Ksamilit - si njësi më vete e pushtetit vendor propozon që Ksamili të mbetet njësi më vete administrative e qeverisjes vendore, vetëm duke u quajtur "Komuna Butrint" me qendër Ksamilin.

Këtu të përfshihen edhe fshatrat Xarrë, Vrinë, Shëndëlli që përbëjnë bërthamën e Parkut Kombëtar të Butrintit.

Ky propozim bëhet me qëllim që zhvillimi i Ksamilit në aspektin ekonomik dhe turistik të ngrihet në parametra dhe modele bashkëkohore, të cilat i kërkon tregu turistik.

Ndërkohë që Këshilli i Komunës Bubullimë e bazon kërkesën në bazë të historisë dhe kërkon që - Bubullima të jetë qendër administrative, me përbërjen dhe territorin e para vitit 1945 dhe sugjerohet bashkimi i 22 fshatrave të para vitit 1945 edhe me fshatrat Kolonjë, Ardenicë e Bitaj.

Shoqata Stebleva kërkon që Stebleva të jetë pjesë e Qarkut Elbasan, Rrethi Librazhd. Gjithashtu, kjo Shoqatë propozon që të bëhet bashkimi vullnetar midis Komunës Stelbevë dhe Komunës Trebisht.

Me anë të një letre Komuna Zhepë, kundërshton bashkimin me Bashkinë e Poliçanit (e cila i është porpozuar si projekt), dhe kërkojnë që Komuna Zhepë të bashkohet me rrethin e Gramshit. Këtë kërkesë e bazojnë në: pozicionimin gjeografik, i cili është më i përshtatshëm për t'u lidhur me rrugë nga të dy anët e lumit të Tomorricës. Gjithashtu, edhe në aspektin ekonomik dhe të marrjes së shërbimeve të tjera si atyre spitalore, arsimore dhe të furnizimit me energji elektrike.

Për reformën territoriale kanë reaguar edhe vetë banorët. Me anë të një letre, banorë të fshatit Tpla, Komuna Fierzë, rrethi Tropojë kërkojnë që të shkëputen, nga Komuna Fierzë dhe për t'u bashkuar me Komunën Bujan,po të rrethit të Tropojës.

Kërkesa mbështetet në arsye: infrastrukturore (vështirësitë e kalimit në rrugë), marrja e shërbimeve shëndetësore, arësye tradite dhe origjine familjare (një fis i madh i ndarë në dy fshatra), marrja e shërbimeve të ujësjellësit.

Një kopje e ketyre shkresave dhe kërkesave do t'i drejtohet në rrugë zyrtare edhe Ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore.

Këto sugjerime vijnë në një moment mjaft delikat të diskutimit të reformës administrativo --territoriale, e cila nuk është pranuar prej opozitës.

Category

📺
TV

Recommended