Tiranë- Çdo seancë gjyqësore që do të zhvilllohet në Shqipëri do të regjistrohet në audio.Në të gjitha gjykatat e Shqipërisë tashmë është vendosur regjistrimi dixhital Audio, i cili do të bëje më transparente punën në gjykata.
Eksperti ,Ervin Karamuço, shpjegon se ky sistem është vendosur në 112 salla gjyqesh dhe po vijon procesi edhe në Gjykatën Administrative.
"Ky sistem është instaluar në 112 salla gjyqesh në 24 gjykata aktualisht. Po vazhdon ende instalimi i tyre edhe në gjykatat administrative. Është një gjë për tu përshëndetur, për shkak se qeveria amerikane nëpërmjet USAID bën të mundur që jo vetëm ky sistem të instalohet, por të kemi mundësi që qytetarëve tu garantohet që gjatë seancave gjyqësore tu mbrohen të drejtat si palë"tha ai.
Gjyqtari, Gerd Hoxha, shpjegon se ky sistem është shumë i rëndësishëm për marrjen e saktë të dëshmive në seancat gjyqësore.
" Ky projekt bën një përmirësim mjaft të mirë të punës, pasi shpeshherë kur prisnin dëshmitarë, gjyqëtari që kryesonte seancën bënte atë që ne rëndom i themi përkthimi nga shqipja në shqip. Atë që i thoshte dëshmitari mundohej t'ia përmblidhte sekretares që të mos humbiste asnjë fjalë. Në këtë mënyrë ndërhyrjet e shpeshta i prishnin vijën e mendimit dëshmitarit, ndonjëherë devijonte nga ajo çfarë do të thoshte"deklaroi Hoxha.
Vendosja e sistemit të regjistrimit të audios në gjykata është mbështetur nga USAID dhe synon që të rrisë profesionalizmin si dhe të shmangë keqkuptimet mbi deklaratat e bëra gjatë seancave gjyqësore.