• 11 years ago
Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e kanë uruar presidentin e Maqedonisë Gjorge Ivanov për rizgjedhjen e tij në krye të shtetit. Këtë e konfirmon edhe kabineti i presidentit, duke shpresuar se urimi i SHBA-ve do të vijë sa shpejti. Nga kabineti i Ivanovit vlerësojnë se nuk ka arsye të veçantë për një vonesë të tillë, por se bëhet fjalë për çështje protokollare.

"Deri më tani nuk kemi njohje zyrtare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është çështje protokollare dhe presim që të arrijë së shpejti", thonë nga kabineti i Ivanovit.

Në vizitën e tij të parë zyrtare pas rimarrjes së detyrës kryetar shteti, Ivanovi vizitoi mbrëmë Brukselin ku u vërejt pritje e ftohtë dhe plotë kritika nga zyrtarët evropian. Brukseli përmendi ngecjet në përmbushjen e kritereve të Kopenhagës, por edhe mungesën e guximit për të bërë kompromise të mëdha, dhe për të zgjidhur çështje të rënda. Nga ana tjetër, presidentin Ivanov nuk e kanë uruar as shtetet fqinje shqiptare, Shqipëria e Kosova. Edhe pse nuk ka një prononcim zyrtar për arsyet e injorimit, mendohet që Tirana dhe Prishtina ndajnë qëndrimin e shumicës së shqiptarëve të Maqedonisë, të cilët bojkotuan procesin e zgjedhjeve presidenciale. Nuk dihet nëse mungesa e një urimi zyrtar nga SHBA-ja është rezultat i kontestimeve të shumta ndaj Ivanovit, si nga shqiptarët ashtu edhe nga opozita maqedonase, apo bëhet fjalë për çështje protokollare. Edhe pse të kontaktuar, ambasada amerikane në Shkup deri tani nuk ka shpjeguar arsyet e vonesës. Benjamin Arifi

Category

📺
TV

Recommended