Përplasjet e djeshme mes grupit të tifozëve "Shvercerat" dhe policisë mund të kishin përfunduar tragjikisht, pasi një pjesëtarë i policisë kishte nxjerrë pistoletën duke ia drejtuar të rinjve. Kryesia e tifo grupit shkupjan shpjegon se polici pa nevojë dhe i pa provokuar, ka hyrë me veturë në mes të turmës. Pasi tifozët e provokuar janë përgjigjur me sharje dhe trokitje në veturën e tij, polici ka dalë nga vetura dhe ka nxjerrë revolen.
"Pa asnjë far arsye, pa asnjë farë problemi, duke biseduar me komandën e njësisë speciale se si të arrijmë të shkojmë në stadium, shohim përnjëherë një veturë, një xhip, duke sulmuar Shvercerat, duke tentuar të lëndojë turmën. Për një moment del prej veturës duke nxjerrë pistoletën dhe duke thënë fjalë banale, nëse nuk largohet turma prej këtu do ta shkrep ndaj turmës. Kërkonte për disa minuta të largoheshim", deklaroi Omer Bunjaku, udhëheqës i Shvercerave.
Por nga MPB-ja thonë se "Shvercerat" ose dikush tjetër nuk kanë denoncuar ndonjë shkelje nga ana e policisë. Megjithatë sipas tyre, momenti kritik ka qenë kur tifozët, në shenjë pakënaqësie për ndalesën e policisë, kanë filluar të godasin veturën e një pjesëtari policie, i cili nisej në mision humanitar në Serbi dhe Bosnje.
"Pasi ishin ndaluar për të hyrë në sallë, tifozët kanë filluar të godasin veturën e një pjesëtari të policisë që dilte nga kazerma për të ndihmuar karvanin humanitar që nisej për Bosnje dhe Serbi. Të shtëna me armë zjarri nga ana e policisë nuk ka pasur, ndërsa nëse është nxjerrë revole, mund të jetë bërë për paralajmërimin e turmës"
Gjithçka kishte filluar kur policia ndaloi grupin e tifozëve të merr pjesë në ndeshjen e basketbollit mes MZT-së nga Aerodromi dhe ekipit të Lirisë. Shvercerat thonë se hyrja në sallën Boris Trajkovski është problem i vazhdueshëm për tifozët shqiptarë.
"Kërkojmë që drejtori i sallës të shihet çfarë probleme ka kundër shqiptarëve. Edhe njerëzve në organizim privat u janë kërkuar letërnjoftime, ato që kanë qenë shqiptarë, nuk kanë mundur të hyjnë në ndeshje. Faktikisht në këto institucione duhet qenë maqedonas për të hyrë brenda"
Vitin e kaluar drejtoria e sallës Boris Trajkovski vendosi ndalesë 2 vjeçare për hyrjen në sallë të Shvercerave. Edhe pse që atëherë shumë grupe maqedonase janë përfshirë në incidente të mëdha, një dënim i tillë nuk është caktuar për asnjë tjetër. Benjamin Arifi