Mbishkrimet vetëm në maqedonisht në urat e Shkupit vazhdojnë të qëndrojnë edhe tre muaj nga premtimi për zgjidhjen e problemit. Deri më tani asnjë rezultat nga puna e Komisionit për interpretimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve në nivel të Shkupit. Nga qyteti i Shkupit thonë se Komisioni është formuar por nuk japin detaje jo vetëm për punën e tij por as për përbërjen e komisionit. Zëdhënësi i qytetit të Shkupit i kontaktuar nga Alsat, na udhëzoi që informata për këtë çështje të marrin pas fundjavës. Zgjidhje të kontestit kishte paralajmëruar edhe kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexheti i binduar se argumentet janë në anën e palës shqiptare dhe se këtë do ta vërtetojnë edhe autoritet e qytetit të Shkupit. Por Trajanovski në prononcimin e tij të mëvonshëm nuk kishte njohuri nëse komisioni ka mbajtur ndonjë mbledhje.
"Unë jam tejet optimist, tejet i bindur se argumentet janë në anën tonë dhe kryetari i qytetit do të vërteton se administrata ka bërë një lëshim, të evitohen këto lëshime dhe të shkohet drejt përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në nivel të qytetit të Shkupit në përgjithësi", deklaroi kohë më pare Izet Mexhiti, kryetari i komunës së Çairit.
"Komisioni është formuar, nuk e di a ka mbajtur mbledhje, më falni për këtë informatë që nuk e di, por ai komision do të nisë të funksionojë dhe të diskutojë rreth interpretimit të ndryshëm të të dy ligjeve me të cilën është rregulluar kjo materie", tha kohë më parë Koce Trajanovski, kryetar i Qytetit të Shkupit.
'Edhe pas 3 muaj nga ngritja e kësaj çështje, asnjë lëvizje në këtë drejtim. Edhe më tej mbishkrimet në tabela në shumë ura dhe sheshe të qytetit të Shkupit vazhdojnë të jenë vetëm në gjuhën maqedonase . Nga komisioni asgjë e re, madje mbetet enigmë edhe përbërja e tij'.
Komisioni është ngritur në shkurt të këtij viti me një marrëveshje të arritur mes kreut të komunës së Çairit Izet Mexhiti dhe kreut të Qytetit, Koce Trajanovski. Komisioni i ekspertëve pritet të shqyrtojë hapësirat ligjore që çojnë në anashkalimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve. Pikërisht për shkak të interpretimit të ndryshëm të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve që flasin 20 % e qytetarëve dhe Ligjit për emërtimin e rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, shqipja vazhdon të mbetet e pa jetësuar. Ligji i gjuhëve thotë se në Qytetin e Shkupit, përveç maqedonishtes, gjuhë zyrtare është edhe ajo që flet 20% e popullatës, ndërsa ligji për emërtimin e objekteve, thotë se rrugët dhe objektet emërtohen edhe në gjuhë tjetër, kur 20 % e popullatës së komunës, i përket një etnie dhe gjuhe tjetër. Dallimi ka të bëjë me interpretimin në rang qyteti, dhe atë në rang komunash. Në këtë drejtim kishte edhe një sërë akuzash nga ana e PDSH të cilët paralajmëruan se kjo çështje është e dështuar si edhe shumë çështje të tjera. Gjyltene Rexhallari