Çerdhet dhe klinikat e fëmijëve, të përmbytura një natë më parë, do të dezinfektohen. Ky është një nga përfundimet e takimit të komisionit për sëmundje ngjitëse, pas stuhisë së djeshme të motit në Shkup. Në tre çerdhet e përmbytura, Klinikën e fëmijëve dhe të gjitha institucionet e tjera publike shëndetësore, do të dorëzohen 3,5 ton lëndë dezinfektuese.
"Një nga çerdhet që është përmbytur është Korçagini, e cila edhe para disa ditëve ishte mbyllur për shkak të derdhjes së fekaleve, si dhe dy çerdheve të tjera, njëra në Qendër e tjetra në Aerodrom. Ajo në Qendër mendoj se nuk priti sot fëmijë, dhe është duke u kontrolluar nga Inspektorati Shtetëror Sanitar. Nëse janë përmbytur hapësirat ku përgatitet ushqimi, çerdhet do të mbyllen deri në momentin e dezinfektimit të plotë dhe pas marrjes së mostrave negative, do mund të lëshohet në përdorim", tha Nikolla Todorov- ministër i shëndetësisë.
Për të mbrojtur popullatën nga sëmundjet e mundshme pas përmbytjeve që ndodhën edhe në vendet fqinje, Komisioni rekomandon kontrolle më rigoroze higjienike në kalimet kufitare, sidomos tani kur fillon edhe sezoni turistik.
"Shmangia e kontaktit me kafshë të sëmura apo të ngordhura, paraqitja e simptomave të sëmundjeve si vjellje, diarre, dhimbje në stomak, temperaturë ose simptoma të tjera, menjëherë të paraqiten tek mjeku apo institucionet e tyre shëndetësore. Nëse kthehen në Maqedoni dhe i ndjejnë këto simptoma menjëherë të paraqiten në mjek tek ne, dhe të tregojnë se kanë qenë në rajonet e përmbytura", deklaroi Jovanka Kostovska- komisioni për sëmundje ngjitëse.
Si sëmundje ngjitëse që mund të paraqiten pas përmbytjeve në Ballkan Komisioni theksoi verdhëzën dhe ethet e Nilit Perëndimor, të cilat barten nga mushkonjat. Komisioni rekomandon edhe mbajtjen e një niveli më të lartë të higjienës personale, vendosjen e kontejnerëve të shumtë në korridoret transportuese, vaksinim kundër tifos të personave të punësuar në ndërmarrjet komunale si dhe spërkatje kundër mushkonjave. Bojana Simonoviq