Bisedimet rreth harmonizimit të programeve politike mes BDI-së dhe VMRO-së kanë përfunduar, dhe aktualisht ka nisur faza e dytë e bisedimeve, ajo për ndarjen e posteve si dhe emrave të mundshëm drejtues. Zhvillimet e tilla i konfirmoi për ALSAT, sekretari i përgjithshëm i BDI-së Abdilaqim Ademi. Me mbylljen përfundimtare të bisedimeve, ai tha se së shpejti do të njihet edhe opinioni publik. Një ditë më parë, edhe kreu i VMRO-së Nikolla Gruevski konfirmoi vazhdimin e bisedimeve, por nuk dha detaje specifike mbi to.
"Bisedimet për platformën kanë përfunduar. Tani bisedohet faza e dytë rreth ndarjes së posteve dhe rreth pozicioneve në qeveri. Shumë shpejt, opinioni do të jetë i informuar edhe për marrëveshjen përfundimtare", tha Abdilaqim Ademi, Sekretar i Përgjithshëm i BDI-së.
Edhe pse nëpër media, prej kohësh qarkullojnë zëra për emra të mundshëm të ministrave. Megjithatë, Ademi theksoi se konkrete, nuk ka ende asgjë.
"Jo ende nuk kemi mbërritur deri tek emrat", u shpreh Abdilaqim Ademi, Sekretar i Përgjithshëm i BDI-së.
Sipas informacioneve të brendshme nga dy partitë, nuk priten shumë ndryshime në resorët që kanë pasur drejtuar deri tani VMRO DPMNE-ja dhe BDI-ja. Për shkak të mos njohjes së kreut të shtetit, BDI-ja do të heq dorë nga Ministria e Mbrojtjes, dhe në këmbim të saj, pritet të marrë ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale ose atë të Transportit dhe Lidhjeve. Bashkim Sulejmani