Bazuar në gjetjet e raportit, Komisioni Evropian konfirmon rekomandimin e tij se Këshilli duhet t'i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Ky është përfundimi i raportit të ri që Komisioni Evropian ka hartuar pas kërkesës së dhjetorit të shkuar nga ana e vendeve anëtare. Më 23 Qershor, pritet fjala e 28 shteteve anëtare të Bashkimit Evropiane. Euro-komisioneri Stefan Fyle njoftoi dhënien e rekomandimit pa asnjë hezitim që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për në BE-në. Në fillim të takimit, komisioneri Fyle vlerësoi progresin e bërë nga qeveria e mëparshme dhe qeveria aktuale në periudhën e fundit.
"Duke u bazuar në gjetjet tona, ne konfirmojmë pa pikë dyshimi, ashtu siç e tha edhe zoti kryeministër, pa kushte dhe pa rezerva, rekomandimin që shtetet anëtare t'i japin Shqipërisë, statusin e vendit kandidat. Besoj se zgjerimi nuk do të ndikohet nga rezultatet në Parlamentin Evropian", tha Stefan Fyle, Eurokomisioner për zgjerim.
Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama theksoi se raporti i Komisionit Evropian vërteton edhe më fort se pse Shqipëria duhet të marrë statusin e vendit kandidat. Për kryeministrin Rama, rekomandimi i komisionit evropian e përforcon statusin e shqiptarëve.
"Ne sot ndihemi edhe më shumë të rënduar nga pesha e përgjegjësisë, dhe pavarësisht votimit në dhjetor nga vendet anëtare, përforcimi që i ka bërë komisioni rekomandimit, na bën të ndihemi mirë në raport me të gjithë shqiptarët, sepse puna ka vazhduar pa asnjë lëkundje, pa asnjë mëdyshje", u shpreh Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.
Dokumenti i Komisionit përmend gjithashtu edhe vërejtjen se çfarë duhet të bëjë më tej Shqipëria për të ecur në procesin e integrimit evropian. Në raportin e Komisionit Evropian, thuhet se Shqipëria duhet të vazhdojë rrugën drejt reformave që ato ta shpien më shpejt vendin drejt BE-së.
"Është e rëndësishme që qasja sistematike ndaj reformave të vazhdojë, ndërsa rezultatet e qëndrueshme do të jenë të një rëndësie thelbësore për integrimin e saj të mëtejshëm evropian. Ky raport ka identifikuar ndërkohë një numër sfidash kyçe, që Shqipëria të përparojë më tej me vendosmëri në rrugën e saj të integrimit evropian", thuhet në raportin e KE.
Raporti i Komisionit Evropian është i fokusuar në vlerësimin e përparimit të bërë në tre fusha kryesore: luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe në reformat në sistemin gjyqësor. Adrian Kerimi