Sezoni turistik erdhi, por taksistët dhe kompanitë e tyre, e kanë neglizhuar kushtin e mësimit të anglishtes. "Gjuhën angleze së pari të mësojnë ministrat, deputetët dhe të gjithë ata që e kanë sjellë këtë vendim, më pas të na detyrojnë neve". Kështu e ironizojnë shoferët e taksive, vendimin e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjes, për mësimin e gjuhës angleze në nivel bazik. Për disa prej tyre, tashmë është vonë që të mësohet gjuha angleze, ndërsa të tjerët thonë se për ata mjafton adresa edhe pika e vendmbërritjes dhe anglishtja nuk i hyn në punë fare.
"Nuk do të isha pajtuar unë me këtë ligj. Së pari, Gruevski t'i mëson anglisht deputetët edhe ministrat, sepse mua më mjafton një vizitë kartele, ta dërgoj aty ku kërkon dhe me atë skam asnjë muhabet", tha një taksist.
"Nuk kam filluar. Unë nuk e njoh gjuhën shqipe, së pari duhet të mësoj shqip e pastaj anglisht. E kuptoj anglishten deri diku, mirëpo në këtë moshë nuk mundem ta mësoj. Ata vetë nuk e dinë, e na detyrojnë ne", u shpreh një tjetër taksist.
"Jo, nuk kemi filluar dhe as nuk e kemi në mend të fillojmë. Unë jam afër 60 vjeç dhe as nuk do të mundem ta mësoj. Për mua nuk është e pranueshme, për këta të rinjtë ndoshta edhe është", tha një shofer taksie.
Vendimi për mësimin e gjuhës angleze erdhi pas propozimit nga Ministria e Transportit dhe Lidhjes, sipas së cilës, shoferët e taksive duhet të njohin nivelin bazik të gjuhës angleze. Shpenzimet për mësimin e gjuhës angleze nga shoferët e taksive, ishin paralajmëruar të shkonin në llogarinë e qytetit të Shkupit.
"Nga 1 janari 2017, ata që kanë licencë për taksi do duhet të dinë anglishten bazike. Ministria e Transportit dhe lidhjeve në bashkëpunim me vetëqeverisjen lokale do të zbaton një numër të madh të trajnimeve", kishte deklaruar Mile Janakieski , Ministër i Transportit.
Deri më 1 janar të vitit 2017, çdo taksistët e ka të patjetërsueshme mësimin e gjuhës angleze, përndryshe nuk do të pajiset me licencë, kurse deri në vitin 2019 njohuritë e anglishtes se tyre duhet të perfeksionohet akoma më shumë. Pavarësisht kësaj, edhe kompanitë e taksive nuk ia kanë vënë veshin këtij vendimi. Me disa nga kompanitë që kontaktuam, theksuan se nuk do t'i urdhërojnë punonjësit e tyre për të mësuar gjuhën angleze dhe se vendimi i ministrit Janakieski nuk mund të përmbushet në Shkup. Adrian Kerimi