PËRMET - Zbardhet përplasja me armë dje në fshatin Vërcisht të Përmetit. 39-vjeçari Gazmor Ibro u qëllua me automatik në përpjekje për të mbrojtur 100 kilogramë kanabis, sasi të cilën po e transportonte me mushkë së bashku me dy vëllezërit e tij Ilirjan e Fati Ibro të cilët janë shpallur në kërkim.
Policia e cila përmbylli operacionin ?Gostomicka? tha se në fshatin Vercisht vëllezërve Ibro u është bërë pritë nga 4 persona, Roland Pata, Altin Merdani, Stefan Gjoka dhe Elton Abazaj, të cilët të armatosur kanë dashur të grabisin sasinë e lëndë narkotike.
Palët janë përfshirë në përplasje më armë dhe për pasojë mbeti i plagosur Gazmor Ibro, cili është dërguar në spitalin e Traumës i cili ndodhet nën arrest për akuzën e kultivimit të lëndës narkotike.
Policia e njoftuar për këtë ngjarje arrestoi Roland Patën dhe Altin Merdanin ndërsa ka shpallur në kërkim bashkëpunëtoret e tyre Stefan Gjokën dhe Elton Abazjn.
Policia ndërkohë ka arrestuar edhe bashkëjetuesen e Roland Patës, pasi ne banesën ku jetonin përkohësisht u gjetën dhe sekuestruan dy doza kokaine si dhe 5.1 gram hashash.
Në kuadër të këtij operacioni policia ka sekuestruar 100 kilogram marijuanë e cila ishte fshehur në 16 thasë si edhe sasinë e vogël të kokainës. Gjithashtu janë sekuestruar edhe tre automjete dhe gëzhoja automatiku e pistolete në vendngjarje.