TIRANË - Ndodh edhe kështu: fshatarët e zonave të Dimalit, Komanit, Finiqit, Butrintit, Orikumit etj, quhen pronarët e varreve monumentale e të thesareve arkeologjike. Këtë ?pasuri? e kanë falë ligjit të shumëpërfolur 7051. Por ky nuk është i vetmi problem që ka trashëgimia kulturore sot, bënë të ditur arkeologu Luan Përzhita, anëtar i Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë. Kulmi i problemeve gjendet tek mangësitë ligjore për trashëgiminë dhe pastaj shtrihet që nga Ministria e Kulturës tek ajo Arsimit e deri tek Instituti i Monumenteve të Kulturës që vepron prej 20 vjetësh i ndarë nga projektet e zbulimeve arkeologjike, ?gjë që nuk ndodh me asnjë vend të botës?, sipas Përzhitës.
Pas zhvillimit të konferencës së djeshme të Arkeologjisë që është mbledhur në Muzeun Historik Kombëtar për prezantimin e të gjitha rezultateve arkeologjike të përftuara gjatë vitit 2015-n në territorin e Shqipërisë, arkeologu i njohur Luan Përzhita zbulon se pothuajse të gjitha zbulimet arkeologjike gjendet të pambrojtura. Monumentet e Kulturës dhe pasuritë arkeologjike të zbuluara gjatë viteve të fundit po përballen me pamundësinë e konservimit. Kjo sjell në shumë raste shkatërrimin përfundimtar të tyre, lënien në mëshirën e fatit, ose në dorën e pronarëve të paligjshëm. Duke risjellë në kujtesë shkatërrimin përfundimtar nga uji të afreskut të Kishës së Shën Gjon Pagëzorit që sapo ka ndodhur në Derven të Krujës, arkeologu Luan Përzhita zbulon një tërësi problemesh emergjente që dalin pas rezultateve të gërmimeve më të fundit arkeologjike.