TIRANË - Suedezi i vetëvrarë këtë mëngjes në Tiranë ishte menaxher i përgjithshëm i "Regency Casino", të vetmes me licencë kombëtare në vendin tonë. Jim Backlund, 40-vjeçar dyshohet të jetë vetëvrarë duke u hedhur nga ballkoni i katit të tretë në pallatin ku banonte së bashku me familjen e tij në rrugën "Haxhi Kika" në Tiranë.
Fqinji i cili ka konstatuar herët në mëngjes trupin e pajetë të Backlund, tregon ekskluzivisht për Report TV, se suedezi jetonte prej 6 muajsh me qera në këtë zonë, dhe gjithmonë lëvizte në këmbë. Ai thotë se atë mbrëmje gruaja e tij shqiptare dhe djali i vogël i çiftit, nuk ishin në banesë pasi bashkëshortja ndodhej në shtëpinë e së emës.
Megjithëse paraprakisht cilësohet si vetëvrasje, Policia e Tiranës ka nisur hetimet me dyshimet se mund të bëhet fjalë edhe për një skenë krimi. Kjo pasi, vendi ku ka rënë suedezi nuk korrespondon drejtpërdrejtë me ballkonin e tij, poshtë të cilit ndodhet edhe një pemë. Megjithatë hetimet në vijim pritet të hedhin dritë mbi këtë ngjarje.
Burime nga Policia e kryeqytetit thanë se ka dyshime që para këtij veprimi suedezi të ketë konsumuar lëndë narkotike. Kjo, pasi në disa pjata në banesën e tij janë gjetur gjurmë kokaine.