TIRANE-Një takim 90 minuta rezultoi ai i kryeministrit Edi Rama me aleatin e tij në qeverisje, Ilir Meta sot në ambientet e hotel Tirana, në qendër të kryeqytetit.
Në hyrje dhe në dalje të takimit, Rama ia la fjalën Metës të zbulonte për mediat pikat e nxehta të diskutimit.
Kreu i LSI zbardhi 90 minutat diskutim ku theksoi se 3 çështjet kryesore ishin, vota e lirë, Presidenti dhe ngërci politik. Sipas Metës të treja pikat kërkojnë bashkëpunimin e PD dhe për këtë arsye kanë vendosur që zhbllokimin e situatës ta bëjë Partia Popullore Europiane, ku PD është anëtare.
Një tjetër lajm që prodhoi takimi Rama-Meta ishte dhe ai se raundi i parë i zgjedhjes së presidentit do të digjet. Maxhoranca nuk do të propozojë asnjë emër duke i dhënë kështu opozitës mundësinë të kontribuojë.