Kryeministri Rama ka komentuar për herë të parë zërat se Holanda po shqyrton mundësinë e rikthimit të vizave me Shqipërinë.
Në krah të komisionerit të Zgjerimit Johanes Hahn, pas takimit me kryeministrat e rajonit në Durrës, Rama tha se tregimi me gisht i Shqipërisë si një vend që eksporton kriminalitet bëhet për axhenda të caktuara politike dhe mediatike brenda vetë Bashkimit Europian.
?Ne nuk kemi asnjë problem as me Holandën dhe as me një shtet tjetër. Unë refuzoj ta pranoj shënjestrimin e shqiptarëve, qofshin ata azilkërkues, qofshin ata që kryejnë krime në vendet e Bashkimit Evropian si një arsye për të treguar me gisht Shqipërinë. Identifikimi dhe propagandimi i etnisë së kriminelëve nuk ka lidhje me Evropën që kemi dhe Evropën që duam. Ka lidhje vetëm me agjenda politike në një Evropë që kalon turbullira në raport me të ardhmen e vet?, u shpreh Kryeministri.
Rama tha se shqiptarët që janë në kërkim të një tregu më të mirë pune nuk mund të quhen azilkërkues, por Komisioneri Hahn nuk e fshehu shqetësimin për çështjen e azilantëve duke thënë se ajo mund të jetë pasojë për integrimin e vendit.
?Është e kotë që të shkoni në vendet e BE për të kërkuar azil. Ju lutem mos e bëni pasi dëmtoni edhe vendin tuaj, duke krijuar idenë se Shqipëria nuk është gati të behet pjesë e Bashkimit Evropian?, theksoi eurokomisioneri.
Kreu i qeverisë zbuloi se gjatë takimit në vilën qeveritare në Durrës i kishte shprehur komisionerit Hahn angazhimin për të mbyllur brenda vitit çështjen e shumëpërfolur të kanabisit.
?Praktikisht zotimi është duke u përmbushur. BE do të financoj edhe një muaj më shumë fluturime. Jam besim plotë që në fund të këtij sezoni, Shqipëria do të dalë nga harta problematike?, deklaroi Kryeministri.
Teksa e uroi edhe nga afër për fitoren në zgjedhje, komisoneri Hahn ishte i prerë për detyrat që duhet të përmbushë qeveria, ndërsa nuk preferoi të japë një datë për hapjen e negociatave.
?Do të ketë një rekomandim për Shqipërinë, por nuk dua të them ndonjë datë. Zgjedhjet e drejta dhe transparente kanë qenë një kusht për të ecur përpara. Tani nuk ka më asnjë justifikim që mund të përdoret. Tani mund të shkojmë drejt zbatimit dhe do të shohim rezultatet e para konkrete te Vettingut?, tha ai.
Han theksoi se progresi duhet të jetë i dukshëm dhe duhet të demonstrohet sidomos përpara vendeve të Bashkimit Evropian. Dhe për këtë i mbetet qeverisë që të bëjë hapat final drejt rrugës integruese. Tv Klan