Do të quhet "Shtëpia e Re e Futbollit". Në terrenin që aktualisht quhet kompleksi Dinamo, në kryeqytet, do të ngrihet një tjetër kompleks, por për ekipet kombëtare të futbollit. Nisja e punimeve ka bërë bashkë presidentin e Federatës së Futbollit, Armand Duka dhe Kryeministrin Edi Rama. Projekti ambicioz pritet të përfundojë për 18 muaj.
"Bashkëpunimi që kemi pasur me qeverinë vitet e fundit ka qenë shumë i mirë dhe rezultat i kësaj kemi bërë investime që i kanë ndryshuar faqen futbollit shqiptar. Uroj që pas 18 muajsh të jemi bashkë për të inauguruar përfundimin e punimeve".
Ky urim i Dukës, pak ditë para zgjedhjeve për president të Federatës, pati reflektimin në fjalën e Kryeministrit.
"S?ka gjë, deri dje isha i akuzuar se dua të marr FSHF-në, sot do të akuzohem se dua ta mbaj. Unë nuk kam lidhje me këtë proces. Jam këtu për një projekt të ri që është pjesë e një programi?.
Për të qëndruar larg zhvillimeve në Federatë, qeveria madje ka shtyrë kontrollin financiar ndaj klubeve të futbollit, i cili vjen si rekomandin nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
"Shtëpia e Re e Futbollit" është një investim në vijim të projektit të Parkut Olimpik. Projekti që do të kushtojë rreth 8 milionë euro, parashikon një godinë 5-katëshe për zyra, salla konferencash, magazina etj. Një stadium me një tribunë 500 vendesh, që do të përdoret për Kombëtaren e futbollit dhe turnetë ndërkombëtar të moshave, një fushë stërvitore me bar artificial, si dhe një qendër rehabilitimi për futbollistët.