Edhe pse qeveria tentoi të sjellë një revolucion në procesin e miratimit të lejeve të ndërtimit dhe zhvillimit, duke i bërë të gjitha procedurat online, afatet nuk respektohen.
Një anketë e zhvilluar nga Këshilli i Investimeve, organ që është në drejtim të ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe IFC-së, evidenton si problemin kryesor respektimin e afateve për miratimin e tyre brenda 60 ditëve kalendarike.
Në ligj u sanksionua se nëse organet vendore nuk kthenin përgjigje brenda kësaj periudhe, atëherë menjëherë funksiononte parimi i miratimit në heshtje.
?Zbatimi i kësaj risie nuk ka qenë i lehtë duke patur në konsideratë kapacitetet e kufizuara të disa Bashkive apo institucioneve të veçanta, vështirësitë e administratës së tyre për t?u shkëputur nga tradita shkresore e praktikave dokumentare apo për t?u informuar në kohë mbi konceptet e reja të legjislacionit të fushës?, thuhet në analizën që Këshilli i Investimeve i bën situatës.
Parimi i miratimit në heshtje, nuk reskeptohet në të gjitha rastet, e veçanërisht në kohën kur bashkitë nuk marrin përgjigje nga zyrat e hipotekës.
Për disa muaj një pjesë e mirë e zyrave të regjistrimit të pasurive të patundshme nuk funksionuan për shkak të procesit të përzgjedhjes së drejtuesve të tyre dhe ndryshimit të specialistëve që ishin gjetur me shkelje.
Tashmë qeveria ka vendosur që të bëjë pjesë të reformës së deregulimit edhe shkurtimin e lejeve dhe autorizimeve që duhen për projketuesit dhe zhvilluesit e një prone.