Klubi i futbollit të Skënderbeut ka filluar të lëvizë pas kërkesës së Komisionit të Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës në UEFA për ta dënuar me 10 vjet në aktivitetet e vetë UEFA-s. Presidenti Ardjan Takaj ka udhëtuar jashtë vendit për të kontaktuar një studio ligjore të fortë që merret kryesisht me çështje sportive dhe që kanë fituar çështje në KAS, e thënë ndryshe, gjykatën e arbitrazhit sportiv. Burime të Report Tv bëjnë me dije se numri një i klubit korçar kërkon minimumin e mundshëm nga kërkesa prej 10 vitesh dënim për mospjesëmarrje në Kupat e Europës.
Mësohet se studio ligjore duhet të mbrojë fort, që Disiplina të ulë minimalisht në dy vjet përjashtimin nga kompeticionet e UEFA-s. Nga çështjet e mëparshme për trukimin e ndeshjeve, nuk ka asnjë rast që të ketë pasur një ulje kaq të madhe. Megjithatë, presidenti i Skënderbeut beson edhe për faktin se shumica e akuzave do të bien.