Përndjekje, tortura, ekzekutime......
Këto ishin disa nga orientimet e drejtuesve të shtetit komunist për më shumë se 45-vite, duke sjellë eliminimin e intelektualëve dhe atyre që ngritën zërin kundër regjimit totalitar, që izoloi vendin për gati gjysmë shekull.
Një nga periudhat më të errëta të historisë së Shqipërisë, mbetet ajo mes viteve 1945-1991, ku nga regjimi komunist u ekzekutuan me pushkatim jo pak, por 6380 persona të cilët kishin shprehur bindjen e tyre kundër mënyrës sesi vendi po drejtohej nga Enver Hoxha.
Ndonëse kanë kaluar më shumë se 28 vite nga ardhja e demokracisë, më shumë se 4500 personave të ekzekutuar në disa qytete të vendit, ende nuk u janë gjetur eshtrat, çka për familjarët dhe pasardhësit e tyre, mbetet një plagë e hapur.
Nga kërkimet dhe hulumtimet që kanë bërë familjarët e të ekzekutuarve, deri tani janë gjetur eshtrat e 2380 personave, por fati i shumë të tjerëve ende nuk dihet.
I tillë është edhe rasti i babait të Lirim Llanajt.
Lirimi rrëfen, se babai i tij ka qenë partizan dhe më pas u arsimua si oficer, por dalja kundër Enver Hoxhës, i kushtoi shumë shtrenjtë.
Lirimi thotë, se ai u pushkatua në vitin 1946, nëna e tij përfundoi në çmendi ndërsa ai bashkë me vëllain u rritën jetimë.
Prej dekadash ai thotë se i ka kërkuar eshtrat e babait, por deri tani askush nuk i ka dhënë informacion për vendin ku ai u ekzekutua.
Megjithatë, Lirimi dhe i vëllai kanë ndërtuar një varr, por pa eshtra brënda, në kujtim të babait të tyre.
Të njëjtin ?fat? ka pasur edhe Gjoç Gjoçi, babai i të cilit u ekzekutua në Vlorë në vitin 1947, si një nga ushtarakët që dolën hapur kundër regjimit të Hoxhës.
Gjoçi thotë, se me të njëjtën mënyrë të babait të tij, u ekzekutua edhe xhaxhai, por ndonëse kërkimet nuk i ka ndalur, asnjëherë nuk i gjeti dot eshtrat e tyre.
Lirimi i bën apel institucioneve shtetërore që të nxjerrin nga arkivat hartat e Sigurimit të Shtetit si dhe të ngrihet një përmendore në kujtim të këtyre personave, eshtrat e të cilëve nuk gjenden.
Regjimi diktatorial përveç intelektualëve, që u pozicionuan kundër tij, nuk kurseu edhe njerëzit e fesë, ku i përndoqi, i torturoi dhe i ekzekutoi.
Një rast flagrant është ai i një prifti në Përmet, i cili ndonëse kishte kontribuuar edhe në hapjen e shkollave shqipe në zonë, u akuzua si spiun grek dhe u ekzekutua.