Kjo është një nga qendrat e masazheve që dyshohet se përdorej si bazë për ushtrim prostitucioni në kryeqytet. Vetëm një ditë pas operacionit "Extra Servis", Policia e Tiranës e ka sekuestruar këtë objekt bashkë me tre të tjerat që ndodhen në zona të ndryshme të Tiranës.
Pas 7 muajsh hetimesh dhe vëzhgimesh nga agjentët e policisë u bë i mundur identifikimi i katër qendrave të masazheve që përmes kamuflimit punësonin vajza që shfrytëzoheshin për prostitucion. Për këtë policia ka vënë në pranga 3 administratore të këtyre qendrave, ndërsa janë proceduar në gjendje të lirë 7 punonjëse që dyshohet se shfrytëzoheshin për prostitucion.
Blutë e Tiranës janë treguar të rezervuar për rastin, duke publikuar vetëm inicialet e të ndaluarve. Kështu në pranga janë vënë administratorët e këtyre qendrave, shtetaset me inicialet H. D., 33 vjeç; A. M., 28 vjeçe dhe L. Q., 34 vjeçe, ndërsa në kërkim është shpallur edhe një 43-vjeçar me inicialet M.M.
Ndërkohë burime pranë uniformave blu bëjnë me dije se klientët përfitonin shërbime kundrejt pagesave nga 50 deri në 100 euro. Vajzat rekrutoheshin fillimisht si punonjëse në qendra masazhesh dhe më pas vazhdonin aktivitetin e jashtëligjshëm me dëshirën e tyre.
Operacioni ?Extra Servis? është i katërti brenda këtij ku policia ka shkatërruar disa baza ku ushtrohej prostitucion përmes kamuflimit.
Tv Klan