Një 28-vjeçar akuzon policinë se ka qëlluar në drejtim të tij, teksa ky i fundit nuk iu bind thirrjes për të ndaluar mbrëmjen e kaluar në Rrugën e Dibrës. Sidian Tabaku i cili po trajtohej në Spitalin e Traumës tha se drejt tij u hap zjarr pa paralajmërim edhe pse ai nuk ishte i armatosur.
Por Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave ka sqaruar se rreth orës 23: 00 të mbrëmjes së djeshme 28-vjeçari ishte duke lëvizur me një çiklomotor pa kaskë mbrojtëse, në ?Rrugën e Dibrës?.
Ai shtoi shpejtësinë edhe pse iu u bë shenjë nga një patrullë e Policisë për të ndaluar. Më tej në sqarim thuhet se punonjësi i Policisë në ndjekje e sipër ka patur një qitje të pavullnetshme të armës. Sipas policisë, plagët në trupin e të riut i janë shkaktuar nga rënia me motor gjatë përpjekjes për t?u larguar. 28-vjeçari është proceduar për mosbindje të urdhrit të policisë, ndërsa Punonjësi i policisë për ?Plagosje nga pakujdesia?.