Partia Demokratike akuzoi Drejtorin e Policisë së Durrësit Alfred Çepe si të përfshirë personalisht në zhdukjen e provave që sipas saj implikojnë deputetin socialist Rrahman Rraja, kryebashkiakun e Krujës, Artur Bushi dhe Taulant Ballën në kërcënimin me armë të ish nënkomisar Emiljano Nuhut në ambientet e komisariat të Fushë Krujës mbrëmjen e 21 Korrikut.
Enkelejd Alibeaj deputet i PD-së : Me urdhër të Ardi Veliut, Drejtori i Policisë së Qarkut të Durrësit, Alfred Çepe, ka ngritur një grup pune për të gjetur dhe fshirë çdo kamera që mund të provojnë praninë e Taulant Ballës, Rrahman Rrajës dhe Artur Bushit në Policinë e Fushë Krujës në 21 Korrik. Policët e zonës e dinë se ky grup pune me detyrë specifike fshirjen e kamerave dhe serverave të bizneseve pranë Policisë kanë kërcënuar me tatimorë, banditë dhe armë këdo që ka refuzuar të bashkëpunojë për shkatërrimin e provave.
Demokratët thonë se në dijeni të plotë të këtij operacioni ka qënë edhe ministri i Brendshëm, ndaj i kërkojnë Fatmir Xhafajt dhe kryeministrit Rama t?i tregojnë publikut çfarë është bërë me kamerat e Policisë së Fushë Krujës.
Gjykata e Krujës la një ditë më parë në burg pa afat Rexhep Rrajën, ndërsa 24 -vjeçarja të cilën ai akuzohet se ka përndjekur ka tërhequr të gjitha akuzat ndaj tij dhe ka deklaruar se e kishte paditur për shkaqe xhelozie.
Tv Klan