Ky është momenti kur Xhisela Maloku i afrohet banesës së gjyshit në fshatin Larushk të Fushë-Krujës, ku mbrëmjen e së dielës pati një shpërthim që alarmoi policinë.
Pa zbritur nga makina e saj tip Peugeot, 25-vjeçarja tregohet e gatshme për të folur me mediat, por e rezervuar për të dhënë detaje nga momenti i shpërthimit. Është e bindur se pas kësaj ngjarje qëndron opozita.
E sigurtë thotë se ndihet vetëm në shoqërinë e njerëzve të Rexhep Rrajës. Që prej mëngjesit, shtëpinë e Ramazan Muçës e vizitojnë bashkëfshatarë dhe të afërm. Edhe ata bëjnë fajtore politikën për këtë ngjarje.
Policia ka shoqëruar deri më tani 9 persona të dyshuar se kanë lidhje me ngjarjen. Dyshimet janë që në oborr të jetë hedhur një sasi tritoli, po nuk përjashtohet mundësia të ketë qenë edhe një përzierje nitrati, që ka shkaktuar zhurmën.
Gjyshi i Xhisielës, pak ditë më parë e quajti debatin e krijuar mes mbesës dhe djalit të deputetit si një çështje mes dy të rinjve. Vetë 25-vjeçarja nuk jep një përgjigje të prerë kur bëhet fjalë për lidhjen e saj me Rexhepin, i cili u la në burg nga Gjykata e Krujës.