Partia Demokratike akuzoi sot Kryeministrin si përgjegjësin kryesor që Shqipëria nuk përfitoi investime në samitin e Poznanit.
Të vetmet vende në botë, sipas opozitës, që nuk kanë patur investime të huaja në këto 6 vite janë Shqipëria dhe Koreja e Veriut.
"Samiti i Poznanit i vendeve të Ballkanit Perëndimor e rikonfirmoi izolimin ekonomik dhe politik të Shqipërisë dhe paaftësinë e vendit tonë për të qenë pjesë e ekonomisë europiane. Shqipëria nuk mori asgjë nga ky samit, asnjë qindarkë dhe asnjë mbështetje ekonomike. Të gjitha vendet e tjera të Ballkanit morën dhjetra e qindra miliona Euro falas, kurse Shqipëria mori një foto me të cilën mburret Kryeministri në Facebook. Shqipëria shkon si vendi më i korruptuar në Evropë me një qeveri të kapur nga krimi. Korrupsioni dhe lidhjet me krimin janë arsyeja pse BE nuk i jep Shqipërisë asnjë qindarkë. Ekonomia është katastrofa më e madhe e qeverisjes së Rilindjes", deklaroi ish-deputeti demokrat Agron Shehaj.