Harun Çelik, mësuesi turk i deportuar pa zhurmë nga Shqipëria në drejtim të Turqisë, ishte planifikuar prej kohësh për t'u marrë në fshehtësi të plotë nga shërbimi sekret turk, thonë burime konfidenciale për Shqiptarja.com. Turqia e udhëhequr nga Erdogan, po gjurmon në disa shtete të Ballkanit shumë personazhe që ajo i lidh si pjesë e ?Gylenistëve? të imamit Fetullah Gülen, armiku numër një i Erdoganit, aktualisht i strehuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi e akuzon për grushtin e shtetit në 2016. Gulen konsiderohet në Turqi si kreu i ?Organizatës Terroriste Fetullhaiste?.
Për deportimin e Harun Çelik, Shqiptarja.com, tentoi të komunikojë me drejtorin e Burgjeve, por ai refuzoi të japë një koment në lidhje me marrjen nga ambientet e një paraburgimi në Tiranë të Harun Çelik. E njëjta situatë heshtje është dhe për sa i përket prokurorëve të çështjes, të cilët refuzojnë të japin shpjegime, për këtë situatë të paprecedent të deportimit të një shtetasi të huaj, nga Shqipëria në drejtim të Turqisë.