Gjykata Kushtetuese nesër do të vendosë nëse do të formojë lëndë për vlerësimin e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë së vendimit për shpërndarjen e Kuvendit. Në konsultime mes gjykatësve do të merret vendim nëse nisma e gjykatësit të Kushtetueses Osman Kadriu do të vendoset ose jo në rend dite. Kushtetuesja javë më parë kishte vendosur që nuk ka bazë për të vlerësuar kushtetutshmërinë e vendimit për shpërndarjen e Kuvendit por tashmë situata ka ndryshuar meqë zgjedhjet e 12 prillit nuk u realizuan. Nëse me këtë nismë nuk arrihet rikthimi i Kuvendit, vendi do të jetë përpara një dileme tjetër ose një krize institucionale. Përfundimi i gjendjes së jashtëzakonshme më 16 maj do të zhveshte Qeverinë nga kompetenca për të sjellë urdhëresa me formë ligji. LSDM-ja beson se Kuvendi duhet të rikthehet dhe, sa më shpejt që të jetë e përshtatshme, të mbahen zgjedhje të reja.